banner img

Efikasiteti dhe Stabiliteti i Sistemeve të Pagesave të BQK-së

Sistemi i Pagesave Ndërbankare vepron i organizuar dhe i mbikëqyrur nga BQK-ja, e cila përveç si administruese dhe rregullatore e këtij sistemi, po ashtu merr pjesë direkt në këtë sistem në emër të saj dhe institucioneve të qeverisë. Prandaj, objektiv parësor i Bankës Qendrore është të nxisë dhe të mbajë një sistem të sigurt, të qëndrueshëm dhe efikas të pagesave dhe një infrastrukturë stabile.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është pronare dhe operatore e sistemit të vetëm të pagesave në Kosovë, Sistemi i Pagesave Nderbankare (SPN). Ky sistem i pagesave kryen kliringun e të gjitha pagesave me vlera të mëdha dhe të vogël, duke përfshi: pagesat prioritare, individuale,në grup/ masive, Kos-Giro, Debitim Direkt, Letrat me Vlerë, etj. SPN është një platformë e cila plotësisht bazohet në teknologjitë më të avancuara, ISO 20022 standarde dhe është i dëshmuar të jetë një sistem i qëndrueshëm dhe stabil, i cili I ka plotësuar me përpikëri nevojat e komunitetit bankar dhe përdoruesve të tij.

Aktualisht janë katërmbëdhjetë (14) pjesëmarrës direkt në SPN. Kjo përfshinë njëmbëdhjetë (11) banka komerciale dhe BQK-në (në emër të vet dhe të Qeverisë), MF/Thesari (për tri institucione) si dhe FKPK. Të gjitha bankat e licencuara në Kosovë marrin pjesë në SPN. Institucionet mikro-financiare, kompanitë e sigurimeve, etj. mbajnë llogari bankare tek pjesëmarrësit direkt, të cilët veprojnë si agjentë të tyre të pagesave. Bankat komerciale janë të lidhura me SPN përmes linjave të huazuara (nga kompanitë e telekomunikimit) sipas topologjisë “hub-and-spoke”. si dhe përmes fijeve optike që do të zëvendësojnë linjat e huazuara (të cilat do të shfrytëzohen si komunikim rezervë).

Siguria, qëndrueshmëria dhe efikasiteti I sistemeve të pagesave janë thelbësore për funksionimin e rregullt të sistemit financiar. Sistemet e pagesave sigurojnë transferimin e fondeve ndërmjet bankave dhe parandalojnë transmetimin e krizave financiare. BQK promovon dhe mbikëqyr sistemet e sigurta dhe të qëndrueshme të pagesave për stabilitet financiar.

BQK ka tri sesione kliringu në SPN (ACH) në ditë për pagesat nën 10,000 Euro, ndërsa pagesat prioritare dhe ato mbi 10,000 Euro realizohen në kohë reale (8:15-15:45). Shlyerja kryhet në kohë reale për pagesat prioritare dhe të mëdha, dhe në baza neto për sesionet e kliringut. BQK monitoron procesin e shlyerjes dhe siguron që rezervat e bankave të jenë në nivelin e kërkuar prej 10%. SPN përdoret për pagesat e brendshme me vlerë të vogël dhe të madhe, përfshirë pagesat prioritare, individuale, masive, Kos Giro dhe Debitim Direkt. Kos Giro lehtëson pagesat e faturave përmes formularëve të standardizuar me barkod, ndërsa Debitimi Direkt lejon tërheqje të automatizuara të mjeteve nga llogaritë për pagesa të rregullta.

BQK realizon shlyerjen e transaksioneve të letrave me vlerë përmes ndërlidhjes së sistemit të letrave me vlerë dhe SPN-së. Sistemi i ri i pagesave ndërbankare ATS (Automatic Transfer System), në përdorim që nga 1 Korrik 2016, përbëhet nga RTGS për transferime në kohë reale dhe ACH për procesim të pagesave në grup dhe me vlerë të vogël, sipas standardeve ndërkombëtare ISO 20022.